H U M O R

21 October, 2008 nga  
Postuar ne kategorine Barcaleta

H U M O R 

Mbrapsht!

Dy veta nga Kosova, kishin shkuar mysafir në Zvicër tek një mik i tyre. Ata, nuk ishin parë kohë të gjatë, pasi që u çmallën mes vete, ngrënë e pinë e t’ia krisën çiftelisë deri në mëngjes! Dikur nga mëngjesi, ata ia këputen gjumë. Mirëpo nga ora 6 e mëngjesit, u zgjuan banorët Zviceran, gra e burra për të shkuar në punë, kurse fëmijët e tyre në shkollë. Filloi rrapëllima e përgatitja për fillimin e asaj dite. Mysafirët nga Kosova i trazoi kjo zhurmë dhe ua nxori gjumin. Njëri nga mysafirët ca me nerva, doli të dera dhe më një gjysmë gjermanishte të çalë e me mimikë, po ju thotë atyre:

- A nuk e shihni ju se ne jemi duke fjetur?!…

Zvicerani, po e shikon atë me habi, dhe po i thotë:

- Zotëri; ne këtu në Zvicër sipas rregullave tona, tërë ditën këndojmë e punojmë, kurse natën flemë e pushojmë rehat!…

- Në krahasim me ne atje në Kosovë, këtu në Zvicër qenka krejt mbrapsht!- po i  thotë ai shokut të vete!… (Ngucakeqi)

 

Cilat janë ndryshimet?

Gjatë kësaj fushate zgjedhore, për dallim nga të tjerat, do të ketë ndryshime të rrënjësishme- po i thotë bashkëbiseduesit të vetë Arbeni! Në fakt, që të dy ishin të pranishëm në një fushatë zgjedhore. Na thuaj pra: cilat janë këto ndryshime rrënjësore?- ia priti bashkëbiseduesi. Po si, ka ndryshime si jo. Bie fjala shumë nga subjektet politike, tanimë ish deputetet që i kanë përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës i kanë kthyer në Kuvendet Komunale, kurse ish kryetarët e Kuvendeve Komunale i kanë dërguar në kandidim për në Parlamentin e Kosovës! Ky është pra ndryshimi, një mandat deputet dhe një mandat tjetër kryetar komune! (Ngucakeqi)

 

As mos dysho!

 

Tek po bisedoja me një shokë në telefon në lidhje me fitoren e PDK-së, dhe të koalicionit të mundshëm që do të pasoi, unë po e uroja atë duke i thënë se: Të besojmë se Kryeministri Thaçi, do të jetë i gjithë fuqishëm, duke pasur plotfuqishmërinë që në rast se ndonjë nga ministrat e ri korruptohet, ai do të mund ta largonte menjëherë nga Qeveria e tij!

As mos dysho për këtë – ma ktheu bashkëbiseduesi. Thaçi i ka shkarkuar pa qenë as në Qeveri e as Kryeministër e lërë me tani!… (Ngucakeqi)

 

Si humben?!

 

Pasi që rezultati i zgjedhjeve, tani më mori formën përfundimtare dhe zyrtarisht u proklamua fitorja bindëse e PDK-së, shumë nga subjektet politike që pësuan fiasko në këto zgjedhje, filluan të bisedojnë kokë me kokë, duke e shtruar pyetjen më të zakonshme: si ndodhi që humbëm në këto zgjedhje?!…

Fare e lehtë është që ta kuptoni shkakun humbjes suaj- u përgjigj një plak i urtë, që kishte rastisur të ishte i pranishëm në një ndeje me ta. E si humbëm pra?- na trego ti plak, pasi që qenke kaq i mençur!- iu hakërruan ata

Krejt e lehtë është me e ditur: humbet se më në fund ju pa populli!- ua ktheu plaku (Ngucakeqi)

                                                                                                             

Ju kthye kurorës së parë!

 

Një grua e martuar, pasi që kishte përfituar shumë materialisht nga burri i saj, pas një kohe kishte filluar që ta tradhtonte atë. Pra, ajo kishte filluar ta shkeli kurorën e martesës?! Pas një kohe bashkëshorti i saj e divorcoi (ndau). Dhe secili në rrugën e vet. Kaloi bukur kohë e gjatë dhe fisnikja e bëri rrush e kumbulla tërë pasurinë që kishte përfituar nga kurora e parë. Një ditë ajo u mendua dhe u rikthye të kurora e parë e po i thotë: Po kthena natyrshëm te kurora e parë, me betimin se nuk do të ju tradhtoj më kurrë se kam pshurrë në të e kam mbetur pa as një lek e madje edhe pa ushkur!

- Ja paska ba, tamam si Bukoshi- ia priti një plak!… (Ngucakeqi)

 

Të arriturat e fundit të Ministrisë së Arsimit?!

Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, zoti Agim Veliu, tani gati në fund të mandatit të tij shënoi edhe një të “arritur” të madhe, pas shumë “arritjeve” tjera që nuk mbahet mend gati as në kohën e Millosheviqit! Besoi se as në shtetet e rajonit e mos të flasim më për shtetet e bashkësisë evropiane të cilët për nga arsimi e shkenca janë shumë ”mbrapa“ nesh!

Zoti Agim Veliu, në saje të strategjisë së tij, pa dyshim me ndihmën e pakursyer e shumë profesionale të ShPK-së, arriti që akademik Rexhep Qoses të ia ndaloj hyrjen në Institutin Albanologjik!…

Thanë se Policia e Kosovës (me urdhër të ministrit në fjalë), ishin të armatosur deri në dhëmbë për ta mposhtur akademikun e nderuar 70-të vjeçar!… Këtë primitivizëm të Ministrisë së Arsimit të Qeverisë së Kosovës, besoj se populli ynë nuk duhet ta harrojë kurrë, ja kush i prinë arsimit dhe shkencës në Kosovë- idiotizmi nuk ka brirë!    (Ngucakeqi)

 

Simbolet

Duket se statusi i Kosovës po zhagitet mu për mungesë të simboleve shtetërore. Simbolet janë shenja të identitetit, mu si yjet në galaksi.

Edhe politikanët tanë të urtë kanë alarmuar këtë boshësi.

Sipas pakos së Ahtisarit, simbolet e Principatës së Kosovës duhet të jenë multietnike, universale, pra të të gjithëve dhe të askujt.

Tani shumë piktorë tanë iu kanë rrekur disenjimit.

Dikush e ka marrë hartën e Kosovës, dikush yjet e dikush ia ka hequr një kokë shqiponjës.

Dihet se shumë figura të shtazëve, shpendëve e bimëve tashmë janë simbole kombëtare.

Përse ky indentifikim i njerëzve me botën animale?

Ato toteme u bënë simbole për cilësitë e tyre magjike mbrojtëse.

Simboli i shqiponjës dykrenore nuk është thjesht një simbiozë e dy shqiponjave binjake. 

Shqiponja e Pirros ishte me një kokë, ndërsa e Konstandinit të Madh me dy kokë simbolizonte Perandorinë Romake.

Më pas këtë simbol e përvetësuan Kisha ortodokse dhe sllavët, por në fushë të bardhë.

Shqiponja jonë dykrenore është e larë në gjak.

Figura origjinale e shqiponjës dykrenore ndodhet në kërcellin  e fierit.

Kokat e shqiponjës duken më shumë si koka gjarpërinjsh, ndërsa flatrat si gjethet e fierit.   

Gjarpri ishte simbol antik i mbrojtjes, për shkak të helmit të tij.

Tek ilirët ishte totem i pikturuar në gurë, qeramikë, stoli etj.

Edhe në etnografinë shqiptare figura e gjarprit haset kudo.    

Gjarpri i shtëpisë quhet vitore, që sjell fat e mbarësi.

Nëse shqiponja dykrenore nuk bëka të valëzojë në flamurin e Principatës së Dardanisë, atëherë gjarpri mund ta zëvendësojë bukur atë.

Jo gjarpri kutullaç, por ai me kokë përpjetë.

Njëmend gjarpri është i ftohtë akull, por tmerrues për armikun.

Gjarpri është simbol ktonik, ndërsa shqiponja uranik.

Simboli i gjarprit shpreh bukur identitetin tonë politik, jo pse jemi vend i gjarpërinjve, po pse kokat e  liderëve tanë iu përngjajnë shumë atyre: hollakë, dredharakë e grindavecë.

Po ashtu, në stemën e Kosovës nuk mund të qëndrojë Qeni i Sharrit, sepse është i sojit të ujkut që ha dhentë dhe turret tmerrshëm. Nëse patjetër kërkohet i atillë,  atëherë ai duhet të jetë qen melez.

As dardha nuk mund të qëndrojë në stemë, sepse mund ta hanë shpejt njerëzit dhe mbetet shteti pa simbole. Pastaj dardha ka bisht!

Njëmend Dardania antike ishte përplot dardha të egra, gorrica.

E si mund të jetë dardha e egër simbol i qytetërimit?!

Stemën e Kosovës do ta hijeshonte portreti i Mbretit dardan ose shalli i tij. Edhe gurët kristalorë do të shkëlqenin bukur!

Himn i Kosovës nuk bën assesi kënga Kur ra kushtrimi… , sepse e prish paqen politike.

Himn mund të bëhet vetëm kënga solemne e Rauf Dhomit: Paqe, paqe, Evropë, Europë!

( Mahitet  ARKADIA)

 

Identiteti

Ditën e Flamurit Mbreti dardan na përgëzoi me një mrekulli të re.

Në Teatrin Kombëtar shpalosi flamurin  e Dardanisë.

Tashmë jeni mësuar me këtë flamur. Vetë e kam qëndisur e ujdisur! – tha gjithë buzagaz.

Turma jashtë u çmerit:

More, ky qenka hakubet, kukuvriq lakuriq!

Shiheni si ia paska lidhur shallin për mjedisi!

Gjoksin e paska me kryq !

 A fluturon shqiponja në rreth ore, a noton nëpër det?! 

Në krye paska sërish yllin, medet! 

Dikush shpërtheu me ironi:

Më mirë do të rrinte shalli flamur!

Jo, jo ia priti tjetri: dardha me bisht! 

Mrekullia e dytë ishte himni i ri Kur ka ra kushtrimi…

Këtë e kemi zgjedhur për himn kombëtar-shtetëror të Dardanisë-  shtoi Mbreti dardan.

Hëm! As ky himn nuk bën, është kundër paqes. Më  mirë do të  jehonte Bien tupanet në Dardani.

Kështu Mbreti dardan sfidonte Vlorën me identitetin e  ri.

Sheshi Skënderbej sfidonte cirkun në teatër.

Hadi Shehu, si Plaku i Vlorës, i binte daulles për Shqipërinë.

Mbreti dardan me Rauf Dhomin i binin defit për Dardaninë!

Turma çmeritej: More ky Mbreti dardan është ndër lule!

Ne po këqyrim si të bëhemi bashkë, e ky si të bëhet mbret me identitet!

Mbreti dardan vetëm qeshte:

Çdo shtet kërkon identitet. Më mirë i pari në katund se i dyti kurrkund!

Kjo mizeria jonë pagane ende nuk e di se Dardania ishte provincë romake. ( Mahitet  ARKADIA)

 

Topi

Statusi i Kosovës është bërë si top futbolli në ndeshjet ndërkombëtare.

Herë hidhet në njërën portë, herë në tjetrën. Herë fryhet, herë shfryhet.

Statusit iu kanë zgjatur veshët sa të gomarit.

Gomari pëllet e pëcet në vapë.

Topi rrokulliset e rrokulliset. Topi është i rrumbullakët.

Kush do t’ia fusë gol, gol, gol!   ( Mahitet  ARKADIA)

 

Bamiri

Më në fund, pasi grindjet e pushkët nuk bënë punë, Topi u zgjodh president i Shqipërisë edhe me vota të së majtës. Ky ishte gjest i vullnetit të mirë për pozitën.

Socialistët e Edi Ramës qitën tym e mjegull në vapën tropikale politike.

Kopili Nano ua lagu keq atyre.

Auuuuu politika!

Po, pse të hidhërohen aq shumë në lojërat politike? 

President më të mirë nuk mund të gjente dot Shqipëria.

Bamiri ishte më i miri. Bamir i popullit dhe top i patundshëm.

Jo top futbolli, por top me gjyle që mban ekuilibrin e pushtetit.

Këtë verdikt nuk e luan as topi.

Topi hyri në portën e majtë.

Gol, gol! – bërtiti Berisha.

Tash Sala ka shtrirë krahët në gjithë pushtetin dhe mund të bëhet lirisht autokrat i djathtë.   

Viva demokrtatia! ( Mahitet  ARKADIA)

 

Oratoria

Oratoria është mjet i fuqishëm politik për t’ua lëkundur mendjen njerëzve. Dy oratorë si Ciceroni i ka sot Kosova. Kur flet Skënder Hyseni, dridhet Llapi e Lepeteni! Tash Skënda po ngrit një tribunë gjashtëkatëshe për të mbajtur fjalime në Velani.

Skënder Hyseni lum ne që të kemi!

Kur ligjëron Baci Kolë na mbërthen vaji politik me lotët çurg.

O baci Kolë, thuej bacit Thaç le ta thurë tharkun me thupra thane se na ranë thitë!- thërret turma e lebetitur. ( Mahitet  ARKADIA)

 

 

 

Shumëkush po lypë! 

 

Një djalë i ri që solli lopët nga fusha, sa erdhi në shtëpi po i thotë gjyshes së vet:

Mori gjyshe, tërë ditën lopa nuk ka kullotur, por i ka hipur tjetrës lopë në shpinë?!

Eh, po lypka me u ethur mor biri i gjyshes- ia ktheu ajo.

E reja e saj e cila ishte lodhur nga punët e shumta të shtëpisë, po i thotë djalit të saj:

E mor biri im, mor çobani i nënës: Shumëkush në ketë shtëpi po lypë ethur: Së pari

babai yt që gjithë ditën e ditës rri në çajtore të qytetit e nuk prek punë me dorë! Pastaj gjyshi yt (vjehrri i im), që tërë ditën rri pranë zjarrit e më thotë nga dhjetë herë brenda ditës: “Nuse ama një gacë ta ndezi cigaren!”  Më pas gjyshja jote (vjehrra ime) e cila tani më ka kaluar të shtatëdhjetat e kërkon që t’i lyej flokët me kanë për çdo javë!  Më pastaj edhe Qeveria jonë e cila po na gënjen që tetë vite me radhë se po bëhet Kosova e pavarur, jo atë vit e jo këtë vit! E krejt në fund duhet ethur edhe lopa- ia ktheu ajo e lodhur e krejt e revoltuar, birit të saj!… (Ngucakeqi)

 

Te Doktori?!

 

Një ditë mbrapa, pasi që Presidenti i SHBA-ve, zoti Gjorgj Bush vizitoi Shqipërinë, Doktor Berisha i thirri në një vizitë urgjente në Kukës, Kryetarin dhe Kryeministrin e Kosovës zotërinjtë Sejdiun dhe Çekun?! Opozita me ta mësuar këtë lajm, menjëherë i vrenjti hundët dhe si zakonisht filloi loja e gjuajtjes me “kunja!”…

- Mos u merakosni- ia ktheu njëri nga këshilltarët e opozitës: Doktori nuk pranon më shumë se nga dy të sëmurë në ditë për vizitë, të shpresojmë se në terminin tjetër Doktori do të ftojë dy të tjerë- kuptohet nëse doktori vet më parë do të jetë mirë nga shëndeti?!…  (Ngucakeqi)

 

Mos harxho! 

 

Fehmiu e mori në telefon një shokun e vet, të cilin kishte vite që nuk e kishte thirrur. Ata po bisedonin për shtatë palë qejfe, dikur, pasi që Fehmiu u zgjatë bukur si shumë në telefon, ky shoku i tij, duke dashur që ta kursente, po i thotë: Mjaftë më Fehmi, mos u harxho se ka mbi gjysmë ore që je duke biseduar me mua dhe të kushtojnë shpenzimet e telefonit!

Jo, jo e kam pa pagesë- ia ktheu Fehmiu?!

Si pa pagesë- po e pyet ai?!

Jam nga telefoni i një shokut tim- ia ktheu Fehmiu!

Ëhëëë- ia priti ai, për sy të ballit ma mori mendja se një e mirë ka ndodhë, ngase ka mbi 4 vjet që ti Fehmi nga telefoni yt nuk ma ke bërë xërrrr………  (Ngucakeqi)

 

 

VIZITA E ZYRTARIT TË LARTË NË KOSOVË

Shkruan: Beqir Elshani

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian shkoi për të vizituar Kosovën. Në pritje kishin dalë Kryeministri i Kosovës me Kryetarin e Kosovës, kryekuvendarin dhe ministrat e Qeverisë së tij.Të gjithë bashkë e pritën mysafirin e lartë. Kryeministri e shoqëron dhe e prezanton zyrtarin e lartë para zyrtarëve të Kosovës.

- Ky është kryeplaku i kompromisit të Kosovës, – tha kryeministri për kryetarin e Kosovës.

- Kjo është zëdhënësja e mjerimit dhe vuajtjes së popullit, – tha për zëdhënësen e Qeverisë së Kosovës.

- Ky është kryetari i shurdhmemecëve, – tha për kryetarin e Kuvendit.

- Ky është ministri i hajdutëve, – tha për ministrin e financave.

- Ky është ministri i territ, – tha për ministrin e energjetikës.

- Ky është ministri i vagabondëve, – tha për ministrin e kulturës.

- Ky është ministri i analfabetëve, – tha për ministrin e arsimit.

- Ky është ministri i infektimit, – tha për ministrin e shëndetësisë.

- Ky është ministri i dhunës dhe shtypjes së brendshme, – tha për ministrin e punëve të brendshme.

-Ky është ministri i korrupcionit,-tha për ministrinë e industrisë dhe tregtisë

- Ky është ministri i padrejtësisë, – tha për ministrin e drejtësisë.

- Vetëm ministri i të verbërëve mungon (është fjala për ministrin e bujqësisë). Ai është i shqetësuar, sepse rezervat e ushqimit në depo janë prishur. Zoti zyrtar, ndonëse ministri është i verbër, hundën e ka të hollë dhe shpejt e merr vesh, kur prishet ushqimi. Deshi të varë veten, por e shpëtoi ministri i padrejtësisë, – kështu e informoi kryeministri zyrtarin e lartë të BE-së.

- Sa budalla, të marrë më qafë veten për një vagon ushqim, – tha zyrtari i lartë.

- Ministri i bujqësisë nuk ka faj… Faj ka populli që nuk blen ushqim, prandaj ushqimi po prishet në depo, – deklaroi njëri nga ministrat e pranishëm.

- Po, demonstruesit në rrugë, çka po lypin? Mbase ata janë kundër vizitës sime në Kosovë?! – pyeti zyrtari i lartë i BE-së, kur pa demonstruesit e Lëvizjes Vetëvendosje me pankarta duke brohoritur “VETËVENDOSJE!

- He, he…! Ata po lypin vetëvendosje, diçka që bie në kundërshtim me Unmik-un, – tregoi zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës.

- Sa për Unmik-un nuk ka problem, por duhet pyetur Serbinë. Nëse Serbia lejon vetëvendosjen e popullit shqiptar, padyshim që Unmik-u e mirëpret, – tha mysafiri zyrtar.

Ndërkohë të gjithë ministrat buzëqeshën në shenjë nderimi.

 

Beqir Elshani – anekdota

LLUMI I KAFESË

- Çka po sheh në llumin e kafesë? – pyeti një grua shoqen e saj që po shikonte në filxhan.

- Po shoh një pako! – u përgjigj shoqja duke vështruar në filxhan.

- Është e madhe apo e vogël? – vazhdoi të pyes e para.

- E madhe është, mirëpo dora është e zezë! – tregoi e dyta

- Kuku, boll, se e di kush është! – tha me shqetësim e para.

 

…LUMJA MOJ E ENJTE!

- E hanë, e martë, lumja moj e enjte! – brohoriti prej gëzimit një studente.

- Urime, po shkon nuse, apo?! – e përgëzoi shoqja e saj.

- Jo, po vjen pavarësia… – tha me gëzim studentja.

 

RRUGA “VETËVENDOSJE”

- Pse po shpërngulesh prej rrugës “Vetëvendosje”? – e pyeti njëri fqinjin, kur e pa duke bartur plaçkat me kamion.

- Sepse kjo rrugë është me gropa, e pashtruar, pa dritë elektrike dhe vazhdimisht ka policë, – u përgjigj fqinji, duke i lënë lamtumirën.

 

ZGJEDHIMI I FOLJES

- Agim, si bëhet zgjedhimi i foljes në kohën e tashme të mënyrës dëftore: veta e tretë, numri njëjës? – pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.

- Qeveria po fle, parlamenti po krihet, ministria po shthuret, populli po dridhet…

- Shumë bukur, Agim! – miratoi arsimtari i gjuhës shqipe.

 

GJYSHI NË SPITAL

Në spital është shtrirë një plak i sëmurë dhe mbahet me infuzion. Pranë plakut qëndrojnë mjeku dhe të afërmit familjar, ndërkohë vjen edhe nipi.

- Çohu gjysh, do të bëjmë kryetar shteti! – tha nipi, duke ia larguar infuzionin prej trupit.

Për çudi, gjyshi u ngrit dhe iku prej spitalit. Mjeku dhe të afërmit e plakut mbetën gojëhapur.

 

REVOLUCIONI

- Mësues, a është i mirë revolucioni për popullin shqiptar? – pyeti nxënësi mësuesin.

- Natyrisht, i mirë është! – u përgjigj mësuesi.

- Atëherë pse Berisha dhe Nano nuk bëjnë revolucion? – vazhdoi të pyes nxënësi.

- Revolucion do të bëhet kur këta të thyejnë qafën, – u përgjigj mësuesi.

 

VË BAST PËR 100 DOLLARË

- Vë bast për 100 dollarë, që banka e qytetit do të vidhet! – i tha njëri bashkëbiseduesit në kafene.

- Unë nuk pranoj bast më pak se 1000 dollarë? – ia ktheu bashkëbiseduesi.

 

PYETJE PËR HAJNAT

- Zoti inspektor, a më lehtë është të zini hajnat që vjedhin pak, apo ata që vjedhin shumë? – pyeti një gazetar inspektorin e policisë.

- Nëse më tregon ti se kush vjedhë shumë, unë do t’i zë… – u përgjigj inspektori.

- Nuk e bëj, se më largojnë prej detyrës, – u përgjigj gazetari.

 

MBLEDHJA E COFTINAVE

“BËJ TRANSPORTIN FALAS E KAFSHËVE TË NGORDHURA!” kështu shkruante në shpalljen e një shtylle.

- Po bamirës i madh, ky transportues! Mbledh coftinat për të mbrojtur mjedisin! – i tha fqinjit të vet, kur pa shpalljen në derë.

- Jo, lum miku! Ky nuk e bën për mbrojtjen e mjedisit!… me to mbaron suxhuk dhe i shet në treg, – tregoi i dyti.

 

ZONJA E DYSHIMTË

- Astrit, kush është zonja që shkruan shpesh për ty? – pyeti bashkëshortja e shqetësuar, kur pa emrin e një femre në faqet e internetit.

- Mos u shqetëso, grua, është nofka ime! Me emrin e zonjës i lavdëroj shkrimet e mia në internet, por edhe i shaj të tjerët që më sulmojnë, – tha bashkëshorti që mundohej ta qetësonte gruan.

FËMIJËT SHAJNË

- Mama, do ta braktis punën në ambulancë, …pacientët po më shajnë, – u ankua e bija infermiere.

- Mos bija ime, punën e ke të mirë! – i tha me të mirë mamaja.

- Ç’ punë e mirë, mama! Të gjithë fëmijët që u jap injeksione, më shajnë!

- Nuk kanë faj të gjorët… Shajnë sepse u dhemb…, – tregoi mamaja e infermieres.

 

DHELPNA NË KOTECIN E PULAVE

- Baba, një dhelpën ka hy në kotecin e pulave, – tregoi me gëzim i biri. 

- Po të më thoshe për Sharanin (qeni i shtëpisë) t’ kisha besue, – u përgjigj babai.

- Po, babë, ajo kujdeset për kotecin dhe me bisht ua pastron glasat, – vazhdoi të tregojë i biri.

- O ti, o dhelpna asht çmend, – ia priti babai të birit.

 

DYFISHIMI I POLICISË

Ditari televiziv lajmëron se Qeveria Shqiptare do të dyfishojë numrin e policisë në vend. Gruaja ishte në kuzhinë dhe posa dëgjoi klithmën e bashkëshortit, e pyeti se ç’ka ngjarë.

- Spikeri tha se do të dyfishohet varfëria e popullit shqiptar, – tregoi Agimi.

- Ku-ku, për ne! – klithi me shqetësim bashkëshortja e Agimit.

 

BURGU I HAGËS

- A e din për çka Shesheli gjendet në burgun e Hagës? – pyeti njëri shokun e vet.

- Ai është kriminel, prandaj gjendet në burg, – ia ktheu shoku.

- Jo! Ai e ruan Ramushin të mos arratiset prej burgut të Hagës, – tregoi i pari.

 

STANDARDI SIPAS MIXHËS

- A jeni të kënaqur me standardin, mixhë? – e pyeti një gazetar fshatarin.

- Mirë, bereçaversen! – pohoi formalisht fshatari.

- A më mirë përpara, apo sot? – vazhdoi të pyes gazetari fshatarin.

- Përpara nana ime i shtonte ujë t’ bunarit kosit, sot gruaja ime i shton ujë t’  çezmës.

- … Po zotnitë, a kanë ndryshue? – pyeti gazetari.

- Jo!… Përpara janë kan t’ kuq, sot janë çivit, – tregoi fshatari.

 

25 Maj 2007

 

 

HUMOR nga Ngucakeqi

 

Ministri që bëri vetëvrasje?!

 

Ministri i bujqësisë në Qeverinë e Japonisë, ishte i ftuar në interpelancë për shkaqe dyshimi në parregullsi të shumta që kishin ndodhur në ministrinë e tij. Ai para së të përballej me Parlamentin Japonez, bëri vetëvrasje!…

 

- Çfarë morali mor burra!- sikur të ishin edhe ministrat tanë të tillë, besoj se nuk do të kishte keqpërdorime e keqmenaxhime të buxhetit të Kosovës – ia priti bashkëbiseduesi.

- Ti thuaj shyqyr që ministrat tanë nuk kanë një moral të tillë!- ia priti tjetri.

- Pse mor burrë thua kështu, a nuk të duket kjo që thua ti një lloj nënçmimi- ia priti ai.

- Jo mor burrë, nuk është nga se unë po e nënçmoj gjestin moral të ministrit në fjalë, por e kam nga frika se po të ishin ministrat e Qeverisë së Kosovës të tillë do të mbesnim pa asnjërin, ngase secili do të përfundonte në vetëvrasje para çdo interpelance!- ia ktheu ky.

- Jo mor burrë, mos u friko fare. Ministrat tanë veç nëse i vret rrufeja rastësisht!- për ndryshe ata nuk ka rrezik asnjëherë që të bëjnë vetëvrasje për shkaqe morale të keqmenaxhimit të buxhetit të Kosovës!…

 

 

U zu me presh në dorë!?

Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit të Kosovës, u zunë me 10 mijë euro ryshfet në dorë!

Po, habitem- ia priti tjetri, dhe në fakt nuk po më besohet fare!

Si nuk të besohet mor zotëri, këtë e ka dhënë edhe gazeta, e ka vërtetuar edhe shërbimi i SHPK-së, dhe ti prapë thua se nuk më besohet!- ia ktheu bashkëbiseduesi.

Jo, ore jo, nuk më besohet që ata zyrtarë të lartë të Ministrisë së Qeverisë së

Kosovës te bien kaq poshtë! Nëse është kështu, atëherë ata paskan prishur imazhin e Qeverisë, dhe paskan shkelur të gjitha rregullat e Qeverisë?! Them kështu duke u mbështetur në faktin se deri me tani të gjithë; zyrtarë e këshilltarë e besa edhe ministra e zëvendës të tyre, nuk kanë pranuar ryshfet nën 1 milion e tutje euro! Këta me 10 mijë euro… Vërtetë po më habisin, prandaj nuk po më besohet mor burrë!…

 

 

30 franga dënim! 

Ditë më parë, në disa kantone të Zvicrës kishte kaluar një ligj ku parashihej dënimi me gjobë në vlerë prej 30 frangash Zvicerane, për të gjithë ata që vërehen duke pështyrë në tokë!

Eh, sa mirë- ia priti tjetri.

Çfarë miri mor burrë, po ja, të vjen të pështysh… e pastaj, ku të pështysh, ç’të bësh?…

Eh, sikur ta sillnin këtë ligj edhe në Kosovë!- ia priti ai.

Si, nuk të vjen turp mor burrë- ia priti ky! Po ç’të bëjnë gjithë ata njerëz të pa punë atje?

Gjithë ditën rrugëve të Prishtinës, dhe t’ju ndalosh të pështyjnë, po ku të pështyjnë ata sipas teje mor zotëri?- ia prit tjetri.

Pasi që janë gjithë ata të pa punë, dhe Qeveria e Kosovës që mbi tetë vite nuk ka

siguruar as punë, as të ardhme, as ekzistencë për ta, atëherë edhe ata mos të pështyjnë në tokë, por ta pështyjnë tërë ditën e ditës Qeverinë në surrat!…

 

 

Tamam si ura e shenjtë

Para dy dite u lidh koalicioni mes dy subjekteve politike ne Gjilan, mes LDK-së dhe PDK-së. Përfaqësuesit e të dy subjekteve në Gjilan, para gazetarëve thanë se së shpejti ky koalicion do të realizohet edhe në disa komuna, pra në nivele lokale më parë, duke mos përjashtuar një koalicion të tillë edhe në nivele qendrore më pastaj!

Pas dy dite, koalicionin e dëshiruar nga subjekti i PDK-ës, u prish nga subjekti i LDK-ës?! LDK- tha, shkurt e qartë: Se nuk e kanë ndërmend që ta prishin  koalicionin aktual qeverisës! U bë puna si ura e shenjt, gjithë ditën ndërtojnë e gjithë natën po e shkatërrojnë! Me gjasë për të bërë një koalicion të qëndrueshëm në Kosovë, duhet një kurban, pra duhet që dikë ta murosim. Se kujt do t’i bie shorti, kjo mbetet të shihet në ditët në vijim! 

! 

 

Ndërroja emrin?!

   Edhe zyrtarisht, në Kosovë u promovua një parti e re, poashtu me emër të ri?! Në fakt, pas shumë përpjekjesh që të jetë trashëgimtare e emrit të vjetër të partisë, krahu i zotit Daci e vonoi punën kot e kot. Kjo ide nuk i ndezi. Jo – i thanë të OSBE-së, – Nuk mund të jetë një parti e re, bartëse e emrit të vjetër, pra nuk mund të futesh dhëndërr me “halete” të huaja zoti Daci!

Mirë pra, – tha zoti Daci. – A keni ju ide se si ta pagëzoj partinë?

Po i thanë ata, pasi që po dëshironi ende, që në emër të Dardanisë, me iu hedhur hi syve

Shqiptarisë, atëherë veja emrin: “ LDD!?”.

Jo, – tha z, Daci, – ngase njerëzit do të thonë e paska uzurpuar Daci partinë, duke ia vënë emrin e vet, pra LDD- Lidhja Demokratike e Dacit!

Jo, jo- i thanë ata. Ne do sqarojmë popullin shqiptar menjëherë:

Na ishte një herë LDK- që do të thoshte (Lidhja e Demagogëve të Kosovës), në shenjë pakënaqësie, kjo parti u nda në dysh dhe u formua edhe LDD – që do të thotë (Lidhja e Demagogëve të Dardanisë) – kështu që populli do të kuptojë se vetëm lidhjet u këputen e demagogët prapë mbeten në skenë!

Gojët e liga thanë se qysh nga lashtësitë, paskësh ekzistuar një lidhje e tillë – hajde e merr vesh tani!

 

Shyqyr…

Tek po bisedonin dy shoqe të ngushta mes vete, të cilat përditë rrinin bashkë. Njëra, po i thoshte tjetrës:

- A nuk e sheh moj shoqja ime se çka janë duke bërë një dorë njerëzish? Gjithë këtë pasuri që e kanë bërë, shtëpia, banesa, vila, biznes, tenderë, e çka jo moj shoqe. Në këtë krizë ekonomike që po kalon Kosova, ata po dojnë me e zënë krejt botën e nuk po çajnë kokën për këtë popull.

- Po i shohim, moj shoqe, po si nuk po i shohim- ia ktheu tjetra. Mirëpo kot mashtrohen,

sepse askush gjë me vete në atë botën tjetër nuk po merr – veç ( turpin ose lavdinë – së bashku me një copë qefin).

   - Jo, ti thuaj shyqyr që nuk na lejojnë me marrë gjë, se një palë njerëz  kishin me marrë të gjitha me veti në varr e gjë nuk kishin me lënë për të tjerët këtej – ia ktheu ajo.

 

Fushatë

 Në fushatën zgjedhore që po mbahet këto ditë në Shqipëri, Partie Demokratike në pushtet e mobilizuar, kishin shkuar në një zonë të thellë rurale, për të mbajtur fushatën. Fjalën mori Sali Berisha, dhe elektoratit po i premtonte një jetë më të mirë. Kërkon ç’të doni nga ne- iu drejtua elektoratit ai, çka të ju do i bardhi shpirt! Një i pranishëm u ngrit dhe tha:

- Unë dua një shtëpi zoti Sali! Shënoja një shtëpi- po i thotë Saliu zëdhënëses së vet.

- Edhe unë dua po ashtu një shtëpi- tha një tjetër qytetar që ishte aty i pranishëm! Shënoja

edhe këtij një shtëpi- urdhëroi Saliu!

Një tjetër u ngrit e tha: Pasi që zoti Sali tha që të kërkojmë ç’të duam, nga se Qeveria e tij do të na i plotësoi të gjitha, atëherë mua më duhen flokët, pra leshi i kokës që me mungon qysh nga monizmi! Shënoja edhe këtij një shtëpi- i tha Saliu zëdhënëses.

- Ky nuk kërkoi që të fitojë shtëpi zoti Sali, ky kërkoi që të fitojë leshin që po i mungon!- ia ktheu zëdhënësja. Shënoje i tha Saliu, se edhe ata të tjerët leshin do të fitojnë, po shënoje ti!

 

                                                                                                            

Rrëfehu  

 Në prag të fushatës zgjedhore, tre politikanë kishin shkuar të prifti, ata dëshironin që më parë të rrëfeheshin për gënjeshtrat që kishin bërë elektoratit, gjatë fushatave të mëparshme e më pas të ia fillonin fushatës së re zgjedhore!

- Futet i pari, dhe prifti i thotë: rrëfehu biri im- a kë gënjyer elektoratin ndonjëherë?

- Po uratë, e kam gënjyer vetëm një herë. Mirë i tha prifti, ti për t’i larë mëkatet që paske

bërë, duhet që të sillesh një herë rreth e rreth kishës!

- Futet i dyti. Po ti?- po e pyet prifti. Unë uratë kam gënjyer elektoratin vetëm dy herë. Mirë i tha prifti, t’i duhet që kishës t’i sillesh dy herë për rreth e të lash mëkatet tuaja!

-  Futet i treti. Po ti?- e pyeti prifti atë. A keni makinë?- po e pyet ai priftin që në fillim?!

-  Pse, ç’ju duhet makina?- po e pyet prifti atë ca i habitur.

-  Që besa e zotit, sa herë kam gënjyer unë elektoratin, vetëm me makinë mund t’i lajë

Mëkatet, duke iu sjellë kishës për rreth. Përndryshe me këmbë, më duhet dy muaj të tërë me u sjellë për rreth kishës, dhe nuk e di a mundem  t’i bie në fund premtimeve gënjeshtare që i kam bërë elektoratit!

 

 

Në kërkim

   Krejt rastësisht kishte ndodhur, dhe në një ndeje bukur të madhe ishin takuar Adem Demaqi dhe Bexhet Pacolli. Njerëzit, duke pasur dëshirë që ta dëgjojnë bacën Adem duke ligjëruar për çështje aktuale, ishin bërë një me qetësinë. Pasi që baca Adem mbaroi bisedën, me të shpejt u hodh zoti Pacolli, dhe i bëri pyetje bacës Adem, duke dashur që para të pranishmëve të tregohet i ditur! Ai, po i thotë:

zoti Demaqi, as na thua; a është më mirë me qenë i pasur, apo i ditur?

Më mirë është me qenë i pasur!- ia ktheu baca Adem.

Eh, të zura- ia priti zoti Pacolli.

Jo, jo- iu përgjigj baca Adem, ne të dy zoti Pacolli jemi në kërkim të asaj që na mungon: Ty të mungon dituria, ndërkaq mua më mungon pasuria, prandaj…

 

Cili ishte mashkull? Cila ishte femër?!

Nga ish ministrat e Qeverisë Çeku, pra ministri Haraqia dhe ministri Tërmkolli, kush mund të saktësojë se cili ishte femër?! Ja disa karakteristika:

- Ministri Haraqia, nuk barte kurrë revole me vete, nuk fjalosej me askënd, nuk fyente askënd, mbante vath në vesh, kishte një sjellje të butë femërore, i kushtonte rëndësi të veçantë dukjes së tij të jashtme, nuk mbante kravatë etj!

- Ministri Tërmkolli, nuk e hiqte kurrë koburen nga brezi, fjalosej madje edhe me policinë e Kosovës, fyente e shante këdo, nuk mbante vath në vesh, mbante kravatë, kishte një sjellje të vrazhdë burri, nuk i kushtonte rëndësi dukjes së jashtme etj!  Pra ndonëse nuk e keni të lehtë, gjejeni vetë se cili i përkiste gjinisë femërore?!

                                                                                                 

Çka do të bëhet me shërbëtorët ?

Si po duket, pushteti i dhunshëm i Serbisë mbi Kosovën mbaroi. Me shumë peripeci, gjak e shumë sakrifica, por më në fund populli shqiptarë do ta fitojë një gjysmë shteti.

   - Më intereson të dijë se çka do të bëhet me gjithë këta shërbëtorë që janë të punësuar të UNMIK-u, si: përkthyes, truproje, pastrues. Shoqërues, shofer, spiunë etj? Pasi që me rastin e shpalljes së pavarësisë, do të bie edhe administrata e UNMIK-ut, pra do bie rozoluta1244- po e pyet bashkëbiseduesi shokun e vet.

   - Mos u shqetëso ti fare për ata- ia ktheu tjetri. Të gjithë shërbëtorët, nëpër të gjitha pushtetet pushtuese në Kosovë, që nga pushtimi Otomanë e deri të UNMIK-ut tani. Pra ata të njëjtën punë kanë bërë gjithmonë- në shërbim të pushtuesve! Edhe në pushtetin që do ta vejë BE-ja në Kosovë- shërbëtorët, po të njëjtin shërbim do ta bëjnë prapë!

   - Pse, prapë të pushtuar ne a?!!!- po, ia ktheu tjetri për sy të ballit, por kësaj radhe do të jemi të pushtuar nga Evropa e cila është përgjegjëse për fatin tonë të lig, që nga viti 1912!…

 

 

U kthye

   Ditë më parë Muhamet Kelmendi kaloi në partinë e Bexhet Pacollit!?

Po habitem, po i thotë shoku- shokut tek e morën këtë lajmë. Si ka mundësi, po a nuk

ishte ky Muhameti, që për sa kohë ishte në LPK- nuk kishte lënë gjë pa thënë për Pacollin e sojisorollopin e tij. Pastaj kaloi në partinë e Ukshin Hotit, të cilit po ashtu ia paska kthyer shpinën! Si lakohen njerëzit kështu si shelgu mor vëlla, këtë nuk po kuptoi unë- po i thotë ai.        Mos u mëzit shumë- ia ktheu bashkëbiseduesi, zoti Kelmendi u kthye në origjinën e vet- këtë ai e ka treguar më kohë; ambiciet e tij për të qenë i parë, nuk e brenë fortë se me kë bëhet kumbarë, krejt fuqinë për atdhe interesin- jo, larg asaj- ky soj nuk e njohin interesi, veç se për lekun vdesin!

 

 

A thua sa do ta mbajnë?!

Ehe, Na erdhi liria më në fund. Sa e sa veta janë djegur për te, që sa vite e vite pret populli ynë këtë të shkretë lirie, dhe ja krejt në fund erdhi e bardha!- po i thoshte axha Sejdë- axhës Kolës, pra fqinjit të vet, tek po pinin kafen e mëngjesit të dy në kopshtin e tyre, si pensionist që ishin. Prej matanë gardhit të kopshtit të tyre, po i dëgjon axha Xhevat- një fqinjë i tyre, dhe nga kureshtja po i pyet këta të dy:

Tash more burra që Kosova po zaptohet serish nga këta të Bashkësisë Evropiane, a dini

se sa do ta mbajnë Kosovën nën zap?! Dikush po thotë se nuk do të rrinë gjatë, disa po thonë se që besa gjatë kanë me e mbajtur! Kush di të na e thotë të vërtetën, prej asaj çka di unë; po ju tregoi se:

-  Nja 500 vjet e pat mbajtur Turqia dikur, nja 100 vjet Serbia, nja 8 vjet po bahen gati, prej se janë hy këta të UNMIK-ut, e tash këta të Evropës sa vjet do ta mbajnë a di kush me na tregua?- inshalla nuk e mbajnë shumë e po çlirohemi edhe ne si gjithë bota ndonjë herë!- përfundoj pyetjen axha Xhevat.

                                                                                                            

Lini të vdekurit rehat!

   Pas gjithë asaj rrëmuje e shembjeje të LDK-së, që më shumë i ngjante zhurmës së dikurshme në mëhallët e romëve, ( pa dashje që të fyej minoritetin rom ), kjo fundi i fundit është pasqyrë e një pjese të madhe të elektoratit ( kush do të shoh realitetin ), nuk vlen për ata që janë verbuar!- kushdo qofshin ata.

  - zoti Daci ditë më parë tha: “ Ne, po ndërtojmë një shtëpi të re!”- pasi që shtëpia e vjetër nuk po i zë më, ngase janë shtuar meshkujt!… Dhe ia bëri “bam” e doli me parti të re. Ai me militantët e vet, para dhe pas formimit të partisë, bënë homazhe tek varri i Ibrahim Rugovës!- në shenjë respekti për te, partia e Dacit edhe selinë e ka zënë pranë varreve!

  - Çka thua për këtë ti mixha Cen?- po e pyet një djalë i ri një plak të urtë, të cilit po ia lexonte këtë lajm në një gazetë ditore.

  - Po flasë prej përvojës sime- ia ktheu mixha Cen: Të gjithë ata që kanë zënë vend pranë varrezave, kurë nuk kanë bërë “behrida!”. Tani së fundi është bërë si modë pasha mixhën, të gjithë këta të politikës, para se ta ulin prapanicën në karrige të pushtetit, së pari shkojnë  e kapen për kunjave të varrezave, kush ku të mundet!… E pastaj i vërsulen pushtetit

  - Në këto ditë të fillimit të vitit të ri, mixha e ka vetëm një porosi: “ Të gjithë ju o Demokrat- lini të vdekurit ndër varre rehat!”…

 

Raportim!

Të gjithë ministrat e Qeverisë së Kosovës, sot, pra në përmbyllje të këtij viti ( 2006), raportuan para Gjeneralit të demobilizuar për sukseset e tyre gjatë këtij viti, Të gjithë ata ( pa përjashtim ) folën vetëm për rezultate, as njëri nuk foli për humbje e dështime, ju lumtë!

Duke e vërejtur se ata kanë “harruar” edhe shumë gjëra, desha të plotësoi edhe disa të arritura tjera- ani pse unë nuk jam ministër!

-  Në saje të këtyre ministrave të zgjuar e vizionar:

Kosova gjatë këtij viti ka pasur rrymë me bollëk, dhe nuk është ndërprerë as një herë!

Mbi 50 fabrika- të inauguruara gjatë këtij viti, kanë punuar pa ndërprerë!

Nuk ka pasur bllokim të rrugëve si ai i Grykës së Kaçanikut!

Nuk ka pasur vrasje ( madje as në automobilat e policisë)!

Nuk ka pasur vjedhje, plaçkitje, as edhe njerëz me maska!

Nuk ka vdekur as kush në duart e mjekëve, nga se ka pasur medikamente me bollëk!

Shtresat sociale dhe pensionistët kanë gëzuar të gjitha të mirat!

Janë punësuar diku mbi 300.000 punëtorë në lëmi të ndryshme!

Të gjitha familjet e Dëshmorëve, dhe fëmijët e tyre gëzojnë privilegje të mëdha!

Nuk ka pasur as kund as edhe një kacidhe korrupsion!

Janë përfunduar, madje rrënjësisht reformat në arsim!

Është bërë kthesë e madhe në sektorin e bujqësisë,bujqit lirisht mund të lëvrojnë me kalë!

Kanë bërë rezerva të thëngjillit të gatshme për gati tërë javën e ardhshme!

Mallit që futet nga Serbia i është hequr procedura doganore- si lehtësim!

Prostitucioni dhe droga, janë emra të pa njohur për Kosovë!

Kuvendet partiake, dhe Parlamentare të Kosovës janë shembull në rajon, dhe Evropë!

Infrastruktura; kund këmba në balt nuk të shkel, uji me bollëk nga kanoçet etj!

Telefoni mobile nga më të lirat në rajon e në Evropë- mos të flasim për Amerikë!

Standard i lartë jetese që mund të krahasohet me Zvicrën!

Komunikacion të rregulluar urban e ndër urban, që nuk ia gjënë shoqin!

 Dhe mbi të gjitha këtë vit u realizua edhe Pavarësia formale e Kosovës që ishte zotim e amanet edhe i të ndjerit, por edhe qëndrim konsekuent, dhe sublimi i të ndjerëve tjerë, që sot e mbajtën mbledhjen e fundit ( urojmë ), kështu që me këtë edhe u “ realizuan “ aspiratat shekullore të popullit tonë- Urime viti i ri: O o o  milet!

 

Këto gjëra i kanë harruar ministrat në fjalë, prandaj unë si Ngucakeq” ministër”, që jam në këtë sektor e pash të domosdoshme që të plotësoi këto të dhëna modeste, nga se populli mund të hidhërohet për mos përfshirjen e gjithë këtyre rezultateve!

  

 

Ai ishte i ri!…

Tek po lexoja një intervistë në gazetën “ Ekspress “ të zotit Daut Haradinajt- së fundi në cilësinë e kryetarit të një dege në kryeqytet!

Zoti Dauti ( mes tjerash), thotë se i pëlqen gara, dhe është i gatshëm që të marr përsipër edhe udhëheqjen e AAK-së ( në rast se Ramushi do të mungoi )…

Kjo ma kujtoi rastin më të freskët, kur Castro ia beson fronin vëllait të vet. Një lojë të tillë në katroret e fushës politike si në katrorët e shahut, po e përgatisin për ta lozur vëllezërit Haradinaj! Se kush do të pësoi mat nga kjo më parë- veç Kosovës?…

Zoti Dauti më tej thotë se: Hashimi është ende i ri, dhe lë të pres! Po pra, se Dauti na u mplak, dhe koha për politikë po i ikën, prandaj vraponi burra! Më këtë ironi, ai do të thotë më shumë për zotin Thaçi, duke dashur që këtë ta injoroi paskuqërisht… Daut e Ramush Haradinaj kanë të drejt- vërtetë zoti Thaçi është i ri! Hashimi ishte i ri edhe atëherë, kur e shpëtoi shtabin e Dukagjinit, të cilin vëllezërve Haradinaj ( që ishin të pjekur ) ua kishte marrë zoti Zema, dhe atë më vota të katundit!

 

I la ferexhetë

Iku Daci- alias maçoku nga kreu i parlamentit. Në fakt, vetëm sa mashtrohen këta ministrat dhe parlamentarët, ngase institucionet dhe populli po i vërejnë “me kohë” devijimet e udhëheqësve tanë dhe dobësitë e tyre. Bie fjala manipulimet e Dacit i kanë vërejtur menjëherë, pra në mandatin e dytë të tij – pra, gati pas pesë vitesh!, dhe pasi kishte kaluar shifrën prej 6 milion eurosh të keq menaxhuar nga buxheti i Kosovës!…

-Sa shpejt e paskan zënë, ore!- ia ktheu bashkëbiseduesi. Mos bëni shaka se Daci ka punuar, dhe i ka lënë të paktën diçka Kosovës dhe Parlamentit?- ia priti tjetri.

-Ë, pra na thuaj se çka na i paska lënë Kosovës dhe parlamentit, ky Daci- sipas teje?

-Daci ia la ferexhetë parlamentit, pra i la muralet e mbuluara me ferexhe në parlamentin e Kosovës!…

 

E lavdëruan dhe e shkarkuan!

Në një mbledhje të kryesisë së LDK-së, i lavdëruan për punën e tyre të bërë në institucionet e Kosovës: zotin Daci, si kryetar të parlamentit të Kosovës dhe zotin Salihaj, si zëvendës kryeministër në Qeverinë e Kosovës. Po në këtë mbledhje, që të dy edhe i shkarkuan nga postet e tyre!…

Kanë thënë dikur: frikohu nga lavdi i armikut, dhe mos u friko nga e shara e mikut!

Si po duket, armiqtë që janë mbledhur brenda kësaj  partie, tani kanë filluar të ballafaqohen me realitetin e ri në Kosovë, por një gjë mos ta harrojnë, ata dhe njerëzit tjerë të politikës se: në politikë, një herë të lavdërojnë e në majat më të larta të çojnë, pastaj të kritikojnë, më vonë të shajnë e të rrëzojnë, më pas ca më keq- t’ëmën ta lodrojnë, dhe më në fund fare të harrojnë, në ndonjë kthinë, apo diku prapa grilave! Prandaj ju të politikës më me kujdes e mos me u ngutë se rrëzoheni e i thyeni hundët– tha një plak i urtë.

 

Nga Ibrahimi në Pjetër!

Ditë më parë gazeta “Lajm”, kishte nxjerr një shkrim ku njoftonte lexuesit se zoti Ibrahim Rugova, kishte bërë konvertimin nga besimi islam në atë të krishterë! Rugova me këtë rast edhe ishte pagëzuar në Romë nga vet Papa Pali i dytë me emrin Pjetër! Sipas gazetës në fjalë, zoti Rugova këtë e kishte bërë qysh në vitin 1994 në shenjë respekti dhe dashurie për konfesionin dhe kulturën katolike në përgjithësi.

Tek po ia lexoja këtë shkrim të gazetës bacës Osman, ai më dëgjoi me vëmendje, dhe fare në fund më tha:

“ Dëgjo biri im: ky Ibrahimi lë ta ndërroj emrin si të dojë, ndash edhe lë ta vejë ndonjë emër tjetër se pasha bacën ta dini të gjithë se këtij nuk i ka bo puna kurrë; as si Ibrahim e as si Pjetër!”…

 

Edhe për se vdekuri

 Një Kmet i një katundi kishte qenë shumë i ashpër. Ai e kishte mbështetjen e pushtetit, dhe ushtronte dhunë mbi bashkëfshatarët e vet. Pa pritur atë e kishte kapur një sëmundje e rëndë. Para se të vdiste, mblodhi fshatin dhe ju tha: Do të ju lë një amanet.

“Kur të vdes të ma lidhni një litar në fyt, dhe të ma lini fillin e litarit mbi varr!- këtë po e bëj në shenjë pendimi për sjelljet e mia të liga që kam bërë ndaj juve!”.

- Kur vdiq, fshatarët e varrosen, duke ia respektuar amanetin e tij. Të nesërmen, një patrullë i Xhandarmërisë, duke kaluar aty pari- shohin një litar mbi varr të Kmetit!? Nga kureshtja e ngrehin litarin, por litari nuk lëvizte dot. Atëherë thërrasin fshatin, dhe i pyesin fshatarët se ç’ishte ai litar aty?- fshatarët tregojnë se ky ishte amaneti i tij!…

- Xhandarmëria urdhërojnë që të zhvarroset Kmeti, kur e panë me litar në fyt, ata thanë: Ë ë ë, po ju e paskeni varur Kmetin në litar, dhe për pasoi ai paska vdekur!… I morën fshatarët në xhandarmëri e kërciti dajaku, për ta zbuluar vrasësin e Kmetit.

Një plak, prej dajakut e gazepit që po shihte me sy, po thotë: “Pasha mixhën se ia shohim sherrin edhe për së vdekuri, këtë nuk ma kishte marrë mendja, por ejani ta varrosim diku me një fshat tjetër, se nuk ka për të na lëshuar sherri i tij bukur gjatë!”…